Revolucion financiar në Botërorin 2026

Revolucion financiar në Botërorin 2026

Shpërblimet financiare për Kupën e Botës së vitit të ardhshëm do të jenë 50 për qind më të larta se në edicionin e kaluar, pasi FIFA ka miratuar një paketë rekord prej 727 milionë dollarësh për turneun. Pjesa më e madhe e këtij fondi, 655 milionë dollarë, do të shpërndahet si pagesa të bazuara në performancë për 48 kombet pjesëmarrëse, me kampionët që do të përfitojnë 50 milionë dollarë, ndërsa nënkampionët 33 milionë dollarë.

“Kupa e Botës FIFA 2026 do të jetë gjithashtu revolucionare për sa i përket kontributit të saj financiar për komunitetin global të futbollit”, deklaroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Sipas vendimit, 16 kombet që nuk kalojnë fazën e grupeve do të përfitojnë nga 9 milionë dollarë secila, ndërsa çdo përfaqësuese e kualifikuar do të marrë edhe 1.5 milionë dollarë shtesë për të mbuluar kostot e përgatitjes.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i FIFA-s konfirmoi organizimin e turneve për të rinj nën moshën 15 vjeç, në format festivali dhe të hapur për të gjitha shoqatat anëtare, duke nisur nga viti 2026 me garat për djem dhe duke vazhduar në vitin 2027 me turneun për vajza. “Në vitet e fundit, FIFA ka shtuar përpjekjet e saj për të nxitur futbollin e të rinjve. Ky është një hap i natyrshëm i radhës”, tha Infantino. Gjithashtu u konfirmua se Kupa e Botës për Klube për Femra 2028 do të zhvillohet nga 5 deri më 30 janar.

KosovaPress

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë