“Gratë ngriten për paqe”, hapet ekspozita globale e fotografisë në Prishtinë

Dy promovueset më të shquara të paqes në Kosovë janë pjesë e një ekspozite globale të fotografisë të lansuar sot nga UNMIK-u, duke shënuar fillimin e fushatës të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Kjo nismë iu bashkohet partnerëve globalë në thirrjen për veprim të menjëhershëm për parandalimin dhe ndalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
“Adresimi i dhunës me bazë gjinore është një domosdoshmëri e të drejtave të njeriut dhe qenësore për ndërtimin e paqes së qëndrueshme. Kur gratë dhe vajzat janë të sigurta dhe të afta të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës, shoqëritë bëhen më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe stabile. Këtë vit, ne e përsërisim thirrjen tonë për veprim të përbashkët në komunitete, shoqëri civile dhe institucione, për të garantuar siguri, dinjitet dhe drejtësi për të gjithë,” tha Milbert Dongjoon Shin, Zëvendës Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe ushtrues detyre i UNMIK-ut.
Sipas njoftimit, si pjesë e fushatës këtë vit, UNMIK-u po e lanson ekspozitën globale të fotografisë në Prishtinë, duke shfaqur imazhe të fuqishme të realizuara nga fotografe gra. Ekspozita thekson rolin jetik të grave si promovuese të paqes paqes, mbrojtëse të të drejtave të grave dhe paqëruajtëse – duke sjellë vëmendjen globale tek agjenda: Gratë, Paqja dhe Siguria (WPS) dhe kontributeve të tyre domethënëse për paqen dhe sigurinë.
“Ekspozita na përkujton se, derisa gratë shpesh përballen me pasojat më të mëdha të konflikteve, ato luajnë gjithashtu një rol qendror në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, duke forcuar besimin dhe promovuar ndryshime pozitive,” shtoi z. Shin.
E lansuar fillimisht në qershor 2025 në selinë e OKB-së në New York, për të shënuar 25-vjetorin e Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ekspozita tani po e viziton botën dhe ka arritur edhe në Kosovë.
E shfaqur në njëmbëdhjetë kontekste – Kosovë, Abyei, Qipro, Republikën e Afrikës Qendrore, Republikën Demokratike të Kongos, Haiti, Liban, Mozambik, Territorin e Okupuar Palestinez, Sudan dhe Sudanin Jugor – ekspozita paraqet një tregim kolektiv të qëndrueshmërisë, forcës dhe shpresës. Kosova përfaqësohet nga dy lidere të shquara: ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe Gordana Gjoriq, të dyja mbrojtëse të agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria (WPS) dhe të drejtave të grave. Portretet e tyre janë realizuar nga fotoreporterja Laura Hasani.
“Shpeshherë, roli i grave në proceset e paqes dhe ndërtimin e mirëbesimit neglizhohet ose është i nën-përfaqësuar,” tha Hasani. “Këto fotografi synojnë ta ndryshojnë këtë, që bota të shohë dhe të dëgjojë nga gratë që po rindërtojnë komunitetet dhe po e udhëheqin ndryshimin.”
Ekspozita do të qëndrojë në shesh – në Bulevardin Nënë Terezë në Prishtinë, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga 25 Nëntori deri më 10 Dhjetor.
“Përmes Objektivit të Saj: Gratë Ngriten për Paqe” është një bashkëpunim i Kombeve të Bashkuara – Departamenti i Operacioneve të Paqes Department of Peace Operations dhe Departamenti i Çështjeve Politike dhe Ndërtimit të Paqes – Department of Political and Peacebuilding Affairs, UN Women, dhe Fondacioni – the Elsie Initiative Fund.




