Memli Krasniqi: 100 eurot e Albin Kurtit bumerang për VV-në më 9 nëntor

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka kritikuar ashpër Albin Kurtin për mashtrimin e radhës para balotazhit në 18 komuna, në 12 prej të cilave për kryetar kandidatët vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sot gjatë ditës nga Zyra e Kryeministrit në adresa të mijëra studentëve kanë shkuar madje edhe nga dy SMS me emër dhe pa emër të Albin Kurtit, me njoftimin për ekzekutimin e 100 eurove nga qeveria në detyrë pak ditë para garës për raundin e dytë për kryetar të komunave, raporton KosovaPress.
“Një kryeministër mashtrues që i ka harruar studentët për pesë vjet, tani kinse po kujtohet për ta tri ditë para zgjedhjeve – jo për t’i ndihmuar, por duke dashur t’i mashtrojë me nga një mesazh propagandistik dhe 100 euro në llogari”, ka shkruar Memli Krasniqi në një postim në Facebook.
I pari i PDK-së ka porositur Vetëvendosjen se studentët nuk do të mashtrohen kaq lehtë, pasi ata e dinë se kjo nuk është ndihmë, por një hipokrizi me llogari elektorale.
“Prandaj, ata, bashkë me familjet e tyre që i edukojnë me sakrificë, më 9 nëntor do ta kthejnë përgjigjen e tyre meritore – me dinjitet, me votë dhe me vetëdije”, ka përfunduar ai.
