Besimi në ekonomi në Shqipëri u rrit me 1,9% në tetor

Besimi në ekonomi në Shqipëri u rrit me 1,9% në tetor

Pas dy muajsh radhazi me tendencë negative, treguesi i ndjesisë ekonomike në Shqipëri është rikthyer në rritje gjatë muajit tetor.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ky tregues është rritur me 1,9 pikë, duke qëndruar rreth 9 pikë mbi mesataren historike.

Ky përmirësim i klimës së përgjithshme ekonomike është ndikuar kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit dhe tregtisë, ndërsa sektorët e shërbimeve dhe konsumatorit kanë shënuar rënie të lehtë të besimit krahasuar me muajin e kaluar.

Treguesi i besimit në industri është rritur me 6 pikë përqindje, duke kompensuar pjesërisht rënien e shënuar në dy muajt e mëparshëm.

Kjo rritje ka bërë që niveli i treguesit të ngjitet sërish mbi mesataren historike, me rreth 1 pikë përqindje.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përmirësimi në këtë sektor është nxitur nga vlerësimet më pozitive për kontratat e reja, sidomos ato të lidhura me eksportet, si dhe nga rritja e prodhimit industrial aktual. Pritjet për punësim dhe çmime në të ardhmen kanë gjithashtu një tendencë rritëse.

Treguesit e besimit evidentojnë se ndërtimi dhe tregtia, janë motorët kryesorë të rritjes.

Në ndërtim, besimi i bizneseve është rritur me 2,4 pikë përqindje në tetor, duke qëndruar rreth 15 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Rritja është ndikuar si nga aktiviteti aktual ndërtimor, ashtu edhe nga rritja e porosive të reja. Megjithatë, pritjet për çmimet në muajt e ardhshëm janë vlerësuar me tendencë në rënie.

Edhe sektori i tregtisë ka shënuar përmirësim të ndjeshëm, me një rritje prej 7 pikësh përqindjeje. Treguesi aktual qëndron 11 pikë mbi mesataren historike, ndërsa bizneset e këtij sektori raportojnë vlerësime më të mira për ecurinë aktuale të aktivitetit dhe pritje më optimiste për punësim. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar në kahun rritës.

Në të kundërt, treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve ka rënë me 2 pikë përqindje, ndonëse mbetet 15 pikë mbi mesataren historike. Kjo rënie lidhet me vlerësimet më të dobëta për aktivitetin aktual dhe nivelin e kërkesës, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.

Nga ana tjetër, besimi i konsumatorëve ka pësuar një rënie të lehtë prej 1 pikë përqindje, duke qëndruar pak mbi mesataren historike. Konsumatorët kanë dhënë vlerësime më pesimiste për situatën ekonomike të vendit dhe gjendjen e tyre financiare në të ardhmen, ndërsa pritjet për rritje të çmimeve janë evidentuar për muajt në vijim, shkruan ATSh.

Pavarësisht luhatjeve mes sektorëve, Banka e Shqipërisë vlerëson se ndjesia ekonomike në vend mbetet pozitive, duke reflektuar stabilitet dhe besim të qëndrueshëm të bizneseve në ekonomi.

Sipas BSH-së, mbajtja e treguesve mbi mesataren afatgjatë tregon se aktiviteti ekonomik po ruan një ritëm të moderuar rritjeje, megjithëse me dallime të ndjeshme midis sektorëve.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë