Ahmeti: Fituam shumicën e votave në nivel kombëtar, do të rinovojmë radhët tona

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka thënë se kanë fituar shumicën e votës kombëtare në nivel vendi.
Ai në një konferencë për media nga selia e BDI-së tha se pranojnë rezultatin për komuna.
“Ne kemi shumicën e votës në mbarë vendin, apo më mirë të thuhet të votës kombëtare në mbarë vendin. Mbi 23 mijë vota më shumë, por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar të komunave. Ne e pranojmë këtë rezultat. Ne kemi fituar votën e shumicës, votën e popullit. Humbja e disa pozicioneve është një thirrje për t’u forcuar strukturat, për t’u afruar më shumë me njerëzit”, tha Ahmeti.
Ai theksoi se fitorja e votës popullore me mbi 23 mijë vota epërsi është një mandat moral dhe politik që u jep motiv që të punojnë më të bashkuar me qytetarët.
“Besimi i qytetarëve nuk është zbehur, por është përforcuar. Ne do të bëjmë analizë të thelluar, do të rinovojmë radhët tona”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti tha se gjatë procesit zgjedhor pati keqpërdorim të resurseve shtetërore, të orkestruar sistematikisht dhe se pati shantazh e presion financiar mbi votuesit.
“Këto praktika të pandershme e dëmtojnë votëbesimin e qyteteve në procesin zgjedhor”, tha Ahmeti, raporton KosovaPress.

