Spalletti zbulon objektivin e tij me Juventusin

Luciano Spalletti është zyrtarisht trajneri i ri i Juventusit. Trajneri italian u prezantua sot në një konferencë për shtyp, një ditë para debutimit të tij në stolin bardhezi kundër Cremoneses, ndeshje që luhet nesër në orën 20:45.
“Janë ndjenja të mrekullueshme. Të gjithë e dimë historinë e këtij klubi dhe pritjet që e shoqërojnë. Të jesh pjesë e Juventusit është një ndjesi e veçantë,” tha Spalletti në fjalët e tij të para.
Tekniku 65-vjeçar theksoi se motivimi i tij kryesor është rikthimi i klubit në nivelet më të larta: “Dëshira për ta kthyer Juventusin aty ku i takon është shumë më e fortë se çdo gjë tjetër. Kam respekt për punën që ka bërë Tudor, sepse ekipi është në gjendje të mirë mendore dhe e stërvitur mirë.”
Spalletti beson se skuadra ka potencial për t’u rikthyer mes më të mirëve: “Nëse nuk do të besoja te kjo skuadër, nuk do ta kisha pranuar këtë sfidë. Objektivi është i qartë: kthimi në Ligën e Kampionëve.”
Ai zbuloi edhe stafin e tij teknik: “Kam sjellë Domenichinin, Martusciellon, Russon dhe Sinattin. Doja të falënderoja edhe Daniele Baldinin, i cili ka vendosur të largohet nga futbolli.”
Sa i përket pjesës teknike, trajneri i ri i Juventusit tha se fokusi do të jetë në lojën sulmuese dhe rikthimin e golave: “Futbolli sulmues është thelbësor. Duhet të jemi grup i bashkuar dhe të kuptojmë njëri-tjetrin në fushë. Kjo është rruga drejt suksesit.”
Spalletti do të drejtojë Juventusin për herë të parë nesër kundër Cremoneses, në ndeshjen e parë të aventurës së tij bardhezi.
