15-vjeçari Owen Cooper bëhet fituesi më i ri mashkull i çmimit Emmy

Adoleshenti britanik Owen Cooper ka shkruar histori në industrinë e televizionit, duke u bërë fituesi më i ri ndonjëherë i një çmimi Emmy për meshkuj, shkruan BBC.
Ai, vetëm 15 vjeç, mori çmimin për rolin e tij të jashtëzakonshëm në mini-serialin e Netflix-it Adolescence.
“Tre vjet më parë nuk isha askush – sot jam këtu… Dilni pak nga zona e rehatisë, nuk ka rëndësi nëse ndiheni në siklet”, tha ai gjatë fjalimit emocionues të pranimit.
Drama Adolescence dominoi ceremoninë në Los Angeles, duke fituar plot gjashtë çmime.
Në anën tjetër, komedia e Seth Rogen, The Studio, u shpërblye me katër çmime. “Jam sinqerisht i turpëruar sa i lumtur jam për këtë”, tha aktori dhe producenti i njohur.
Një tjetër befasi e natës ishte suksesi i serialit The Pitt, i cili arriti të triumfojë në kategorinë “Drama më e mirë”, duke lënë pas hite të mëdha si Severance dhe The White Lotus. Megjithatë, Severance nuk mbeti duarbosh, duke marrë dy çmime të rëndësishme.
Ceremonia këtë vit u veçua edhe për organizimin e saj të rregullt. Prezantuesi Nate Bargatze shpalli se për çdo fjalim më të gjatë se 45 sekonda, do të zvogëlohej për 100 mijë dollarë donacioni për bamirësi – duke motivuar fituesit të jenë të shkurtër e të përmbledhur.
Në tapetin e kuq shkëlqyen yje si Sydney Sweeney, Pedro Pascal dhe Jenna Ortega, të cilët tërhoqën vëmendjen me paraqitjet e tyre.
