Prishtina Mall bëhet sponsor i PriFest

Prishtina Mall bëhet sponsor i PriFest

PriFest vazhdon të jetë një ndër ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit në Kosovë. Në edicionin e 17-të të këtij festivali, qendra tregtare “Prishtina Mall”, i është bashkuar javës së filmit si sponsor.

PriFest do të organizojë disa nga ngjarjet dhe aktivitetet brenda hapësirave moderne të kinemasë CineStar, e cila ndodhet në “Prishtina Mall”. Ky partneritet, shtrihet përtej ngjarjes kryesore të festivalit, me një sërë aktivitetesh të përbashkëta gjatë gjithë vitit.

“Një mur mund të bëhet me beton, por një identitet duhet të bëhet me kulturë”, tha Alvaro Costa, i cili është drejtor menaxhues në Prishtina Mall, mbrëmë para të pranishmëve në festival.

Mbështetja e PriFest është vazhdimësi e synimit të qendrës tregtare për të integruar jetën kulturore të komunitetit brenda hapësirave të saj.

“Prishtina Mall është duke integruar zakonet shoqërore dhe kulturore të komunitetit të saj brenda qendrës tregtare. Ne jemi krenarë për këtë dhe, sigurisht, nuk mund të qëndronim larg një ngjarjeje kaq të rëndësishme që bashkon industrinë e filmit….Ne kemi krijuar një marrëveshje, një bashkëpunim mes kinemave tona, CineStar – të cilat janë ndër më modernet në rajon – dhe PriFest. Gjatë vitit do të zhvillohen shumë ngjarje aty, të cilat jemi krenarë t’i mirëpresim në Prishtina Mall”, thotë ai.

Jo vetëm për blerje, por kjo qendër tregtare po synon të kthehet edhe në destinacion për kulturë.

“Ne duam të kontribuojmë në projeksionin dhe dukshmërinë që PriFest po arrin. Njëkohësisht, jemi duke ndërtuar rrugën tonë, duke u afirmuar jo vetëm si një destinacion për blerje, por edhe për kulturë. Me një galeri arti dhe një kinema në hapësirat tona, ishte e natyrshme të lidhemi me këtë ngjarje të rëndësishme….Qëllimi ynë është të mbledhim, të integrojmë dhe të përqafojmë stilin e jetesës së njerëzve që po zhvillohet. Kjo është gjithashtu kulturë – dhe ne besojmë se asnjë komunitet nuk mund të ketë identitet pa kulturë. Për këtë arsye, përveç shitjeve me pakicë, ne kemi pasur një galeri arti në Prishtina Mall për më shumë se një vit. Dhe me këtë marrëveshje të re që përfshin edhe kinemanë tonë, mendojmë se po hedhim një hap tjetër të rëndësishëm në këtë drejtim”, shton ai.

Këtë vit në PriFest do të shfaqen 20 filma të metrazheve të ndryshme, tregon drejtori Fatos Berisha, i cili mes tjerash flet për mbështetjen e “Prishtina Mall”. 

“Ka 17 vjet që tentojmë ta bëjmë këtë, që çdo edicion risia kryesore është ‘filmat e rinj’. Kemi sjellur të gjitha filmat premierë në Kosovë, derisa ka edhe premiera botërore, premiera evropiane, premiera rajonale të shumta. Ajo që na gëzon është numri i madh i vizitorëve, i shikuesve, i komunitetit artistik të Kosovës, por edhe të rajonit që vijnë dhe Prishtinën dhe Prishtina International Film Kosova e kanë si pikë takim dhe si referencë, ajo na gëzon shumë. Dhe gëzon shumë fakti që kemi edhe mbështetës të rinj që prej këtij viti i janë bashkuar familjes sonë, siç është Prishtina Mall që e vlerësojnë kulturën dhe është një kontribuues jo vetëm i ngritjes të nivelit qytetar por edhe hapësirë për krijimin edhe të vendeve të reja të punës edhe e vlerësojnë kreativitetin e rinisë tonë”, përfundon ai.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë