Ramë Lahaj & Friends nesër para publikut kosovar

Festivali Ndërkombëtar i Operës kulmon nesër me Gala mbrëmjen që organizohet në Prishtinë. E një ditë më herët, tenori Rame Lahaj dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama mbajtën një konferencë për media në të cilën u theksua rëndësia e artit, për të gjitha moshat.
Për festivalin, u tha se ka transformuar hapësirat e përkohshme në skena arti si dhe ka sjellë artistë të klasit botëror, duke krijuar kështu ura bashkëpunimi për talentë të ri.
“Për mu është një tip ëndrre me e pas sot në Prishtinë edicionin tonë të pestë. Dikur nuk kam mundur të ëndërroj kaq shumë sepse kam parë, duke njohur brenda gjithë formatin se si funksionon teatri, si funksionon muzika klasike, dhe duke e ditur investimin kam menduar që do të më duhet shumë më shumë kohë se kaq. Jam falënderues për të gjithë ata që besojnë projektin tonë, të gjithë ata që investojnë në projektin tonë, të gjithë ata që janë me ne në të gjitha sfidat që i kemi, po ashtu edhe sukseset”, tha Lahaj.
Tenori Rame Lahaj theksoi rëndësinë e krijimit të një platformë, që sipas tij, dikur kthehet në traditë.
“Ajo çka na takon dhe çka duhet neve si profesionistë është për të lënë ose për të krijuar një platformë e cila kthehet dikur në traditë dhe sigurisht për mua është krejt e pafalshme nëse fëmijët sot nuk shkojnë në teatër, por besoj kinemaja është me lehtë e qasshme. Jo rastësisht ne e kemi pasur edhe projektin e fundit dhe kemi provuar të shkojmë në disa qytete sepse nganjëherë Prishtina e ka të gjithë privilegjin për të jo gjitha aktivitetet që ndodhin dhe kam pasur dëshirë që fëmijët të kenë mundësi me pa edhe prej së afërmi, edhe fëmijët e Istogut ku edhe unë jam rrit, ose qyteteve të tjera”, tha ai.
Ai bëri të ditur se po angazhohen edhe në një tjetër projekt, që është show për fëmijë, ndërsa theksoi se do të shkojnë në provinca të thella të Kosovës për fëmijët të cilët nuk kanë mundësi të takohen me operën.
Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama shprehi përkrahje për festivalin.
“Përkundër faktit që ne si kryeqytet jemi duke bërë çmos për me i shty përpara proceset, tashmë i kemi projektin e arkitektit të mirënjohur botëror të përfunduar për sallën koncertale, ja që politika po i ngadalëson çështjet mirëpo ne nuk do të ndalemi dhe këtë sallë koncertale por edhe hapësirat e tjera do t’i kemi në të ardhmen e afërt. Mirëpo çka është me rëndësi më të madhe është se vet qyteti është transformuar në një sallë koncertale, si rezultat i angazhimit të formacionit Rame Lahaj, normal ne e përkrahim, agjenda jonë është që kryeqyteti të jetë një qytet i artit dhe i kulturës”, tha Rama.
E ish-kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana theksoi se nisma e Ramë Lahaj është diçka që ushqen shpirtin dhe pasionin e çdo njeriun dhe se një nismë e tillë do të lë shenj ikonike në shoqërinë kosovare
“Në këtë rast këtu kemi të bëjmë me diçka e cila ushqen së pari shpirtin dhe besoj që si opera, si muzika, si arti, si sporti ushqejnë së pari shpirtin. Ne kemi fatin që e kemi një shoqëri këtu në Kosovë ku pjesa më e madhe e shoqërisë është e re dhe nisma e Ramës së pari për ta bërë si një moment i cili do të zgjatet dhe të bëhet një moment ikonik i shoqërisë sonë, por është të iu jap mundësi nëpërmjet artit të tij, nëpërmjet pasionit të tij, nëpërmjet gjithë njerëzve që ka takuar gjatë rrugëtimit të jetë një shenjë në vendin e tij, të sjellë njerëz që nuk i kemi pasur mundësi për t’i parë por edhe t’i ushqejë këta njerëz me pasionin e tij i cili është një pasion që shkon shumë mirë me moton e këtij viti i cili është ‘Ëndrra pa kufij’ ushqen pasionin dhe shpirtin e çdo personi që e ndjekë”, theksoi Cana.
Sheshi Skënderbeu në kryeqytet po përgatitet që të mirëpresë Mbrëmjen Gala “Rame Lahaj & Friends”, nesër në ora 20:30. Kjo është mbrëmja kulmore e Festivalit Ndërkombëtar Operistik Rame Lahaj.
Emrat më prestigjiozë të skenës operistike botërore, si sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo, dhe tenori Rame Lahaj, do të ngjiten në skenë për të dhuruar emocione të papërshkrueshme.
“Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!” si temë e këtij edicioni vjen si thirrje e frymë prijëse e këtij edicioni të pestë jubilar.
