Siguria detare në Shqipëri, shpëtohen 18 persona dhe ndalohen 36 mjete lundruese

Siguria detare në Shqipëri, shpëtohen 18 persona dhe ndalohen 36 mjete lundruese

Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare ka intensifikuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe zonave liqenore dhe lumore në Shqipëri.

Sipas një njofitmit të Policisë, kontrollet po bëhen në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”, me qëllim rritjen e sigurisë për pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese.

“Gjatë javës së fundit janë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për shkelje të ndryshme, përfshirë shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara, mungesë të dokumentacionit përkatës. Mjetet e bllokuara përfshijnë 24 Jet Ski, pesë skafe, katër gomone, tri varka metalike me motorë uji të instaluar. Gjithashtu, 13 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda zonave të ndaluara dhe duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë gjobitur me 100,000 lekë secili për shkelje të rregullave të sigurisë. Ndërkohë, në kuadër të operacionit, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste, nga Ksamilit në Velipojë, duke shpëtuar 18 shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta ose defekteve teknike në mjetet lundruese”, thuhet në njoftim.

Policia Kufitare bën thirrje për respektimin me rigorozitet të rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, duke mos shkelur perimetrin e sigurisë detare, lëvizur vetëm në zonat e lejuara dhe përdorur pajisjet e shpëtimit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa ndëshkuese ndaj shkelësve të rregullave.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë