Vit i humbur për ekonominë

Vit i humbur për ekonominë

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, bllokimi institucional dhe mungesa e investimeve, kanë qenë faktorët kryesorë që kanë përcaktuar zhvillimin ekonomik të Kosovës gjatë vitit 2025, duke e bërë këtë vit një nga më të vështirët për ekonominë e vendit.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, Kosova është përballur me rritje të dobët ekonomike, thellim të deficitit tregtar, rritje të inflacionit dhe ulje të ndjeshme të besimit të investitorëve vendorë dhe të huaj.

Situata u rëndua edhe më tej nga mungesa e institucioneve funksionale për një periudhë të gjatë, çka ndikoi në vonesën e vendimmarrjes, mosmiratimin e politikave ekonomike dhe bllokimin e projekteve kapitale. Sipas njohësve të ekonomisë, kjo pasiguri institucionale ka ndikuar negativisht në besimin e investitorëve vendorë dhe të huaj.

Një tjetër problem i theksuar gjatë vitit 2025 ishte deficiti i lartë tregtar. Importet vazhduan të dominojnë tregun, ndërsa eksportet mbetën të ulëta. Kosova vazhdoi të importojë më shumë sesa eksporton, duke treguar varësi të madhe nga mallrat e huaja dhe prodhim të dobët vendor. Mungesa e mbështetjes për prodhuesit vendorë dhe kapaciteti i ulët prodhues, mbeten ndër arsyet kryesore të kësaj gjendjeje.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Besnik Avdija, vlerëson se viti 2025 nuk ka qenë vetëm vit i humbur ekonomikisht, por në disa segmente ka shënuar edhe prapakthim. Ndonëse shpreson që ky vit për dallim nga i kaluari, të mbahet mend për zhvillim ekonomik.

Sipas tij, inflacioni ka tejkaluar rritjen ekonomike, duke e futur vendin në recesion faktik.

Duke renditur pasojat e vendit, ai thotë se viti që lamë pas karakterizohet nga një paqëndrueshmëri ekonomike.

Një tjetër problem i theksuar gjatë vitit 2025 ka qenë përkeqësimi i bilancit tregtar. Importet vazhdojnë të dominojnë tregun, ndërsa eksportet mbeten të ulëta dhe jokonkurruese.

Sa i përket masave të Bashkimit Evropian, Avdija i cilëson ato si të padrejta dhe me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.

Sipas tij, rritja e normave të interesit dhe orientimi i kredive drejt konsumit, e jo investimeve, është tregues i qartë i stagnimit ekonomik.

Në aspektin e klimës së biznesit, ai paralajmëron për largim të kapitalit dhe rritje të pasigurisë ekonomike.

Edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Sejdi Rexhepi vlerëson se mungesa e ndërtimit të institucioneve ka reflektuar negativisht në ekonomi.

Ai shton se Kosova nuk ka arritur të shfrytëzojë një pjesë të fondeve të dedikuara për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Bashkimi Evropian, pikërisht për shkak të mungesës së institucioneve funksionale dhe papërgjegjësisë politike.

Megjithatë, viti u përmbyll me lajmin e mirë për largimin e masave nga ana e Bashkimit Evropian. Vendim tjetër i fundvitit, ishte edhe ai për rritje të pagës minimale në 425 euro nga janari, dhe 500 euro nga muaji korrik – vendim që u cilësua si elektoral.

Për më shumë mund ta ndiqeni emisionin Shtylla.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë