Falë reagimit të shpejtë të policisë, shpëtohet qytetarja që kishte rënë në lumin Ibër

Falë reagimit të shpejtë të policisë, shpëtohet qytetarja që kishte rënë në lumin Ibër

Një qytetare është shpëtuar mbrëmë, pasi kishte rënë në lumin Ibër. Kjo falë reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 22:00 policia është informuar se një person i gjinisë femërore ndodhej në rrezik, pasi kishte rënë në lumin Ibër, në afërsi të urës së re në rrugën “Lah Nimani” në Mitrovicë.

Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe në shtratin e lumit kanë gjetur qytetaren në gjendje të rënduar shëndetësore. Ata kanë arritur ta nxjerrin nga uji, duke evituar rrezikun për jetën e saj, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

E njëjta është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku sipas mjekëve gjendja e saj shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Sipas deklaratës së viktimës, ajo kishte rrëshqitur aksidentalisht dhe kishte rënë në lumin Ibër. Njësitet policore po vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë