Modric: Cristiano i jashtëzakonshëm, Messi madhështor

Luka Modric ka reflektuar për kampionët dhe trajnerët e mëdhenj që ka takuar gjatë karrierës, në një intervistë për Il Corriere della Sera. Mes Milanit, ëndrrës për Scudetton dhe marrëdhënies me Zlatan Ibrahimovic, kroati thekson se skuadra është në rrugë të mirë: “Jemi në një pozicion të mirë, ka ende shumë rrugë për të bërë, por kjo mund të ndodhë. Ne jemi Milani, qëllimi duhet të jetë gjithmonë maja”.
I pyetur për krahasimin me Andrea Pirlon, Modric pranon respektin maksimal, por zbulon idhullin e tij: “Krahasimi më nderon, Pirlo hapi rrugën, por idhulli im, përveç Bobanit, ishte Francesco Totti. Ky është futbolli që doja të luaja”. Sa i përket debatit Ronaldo–Messi, ai shmang krahasimet: “Jam më afër Cristianos sepse kam luajtur me të. Nuk është vetëm futbollist i madh, është njeri i jashtëzakonshëm. Messi? Si lojtar, madhështor”.
Në kapitullin e trajnerëve, Modric vlerëson Allegrin, Ancelottin dhe Mourinhon. Për Allegrin: “Ka personalitet të jashtëzakonshëm, e njeh futbollin si pak të tjerë”. Për Ancelottin: “Carlo është numri një, të jep besim”. Ndërsa për Mourinhon zbulon një episod të fortë: “E pashë duke e bërë Cristiano Ronaldon të qante në dhomën e zhveshjes. Është shumë i drejtpërdrejtë, por i ndershëm”.
