80-vjeçari përplaset për vdekje në Prizren

Një tetëdhjetëvjeçar ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë në lëvizje në rrugën “Ismajl Kryeziu” në Prizren.
Shaqir Bytyqi, zëdhënësi rajonal i Policisë Prizren tha për KosovaPress, se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:12 dhe se i dyshuari është një zyrtar policor nga Prizreni, i cili ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe ka qenë duke lëvizur me veturë private.
“Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore përkatëse si dhe eprorët policorë. Nga informacionet e para është kuptuar se viktima është një person i gjinisë mashkullore, rreth 80 vjeçar”, ka thënë ai.
I dyshuari aktualisht ndodhet në Stacionin Policor të Prizrenit. Lidhur me rastin janë njoftuar Prokurori i Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët po merren me procedurat e nevojshme hetimore.

