Realizohet ushtrimi i përbashkët “ALAMO” mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it

Sot u zhvillua ushtrimi fushor i koordinuar “ALAMO”, në pjesën veriore të vendit, me pjesëmarrjen e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, raporton KosovaPress.
Qëllimi i këtij ushtrimi ishte forcimi i koordinimit, komunikimit, komandës dhe kontrollit, si dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional mes njësive policore dhe trupave të KFOR-it, për të siguruar një reagim të shpejtë, efikas dhe profesional në çdo situatë që ndikon në sigurinë publike dhe ruajtjen e një ambienti të sigurt.
Gjatë ushtrimit u testuan koha e reagimit, efikasiteti i pajisjeve, komunikimi ndërmjet njësive, si dhe zbatimi i taktikave operacionale në terren, në bashkëveprim të plotë mes njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe forcave të KFOR-it, thuhet në njoftim.
Ushtrimi “ALAMO” u realizua sipas planifikimeve të hartuara paraprakisht dhe përfundoi me sukses, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi.
Policia e Kosovës dhe KFOR-i mbeten të përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në thellimin e bashkëpunimit reciprok për garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.



