Babai e përkujton plot emocione 25-vjeçaren në Tetovë

Babai e përkujton plot emocione 25-vjeçaren në Tetovë

Ndërsa nga Prokuroria Themelore në Tetovë njoftojnë se të dhënat e para nuk japin indikacione për vepër penale në lidhje me ngjarjen në Tetovë ku mbet e vdekur një 25-vjeçare nga Kosova, tashmë ka ardhur reagimi i prindërve të studentes nga Gjakova.

Arber Spahija ka përkujtuar me plot mall të bijën e tij që kishte shkuar për studime master në Tetovë dhe nën rrethana të pasqaruara kishte rënë nga kati i tetë i një ndërtese, raporton KosovaPress.

“Pusho e qetë në Parajsë, dritë e syve të mi”, janë fjalët e babait të 25-vjeçares në Facebook.

Nga Prokuroria në Tetovë njoftojnë se janë intensifikuar hetimet dhe do të ndërmerren të gjitha masat deri në zbardhjen e plotë të rastit.

Prokurori kujdestar ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë, si dhe në banesën me qira ku kishte qëndruar.

Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale. Megjithatë, është urdhëruar obduksioni, do të merren në pyetje disa persona, ndërsa prokuroria dhe të gjitha organet hetimore po veprojnë intensivisht për të sqaruar shkaqet.

25-vjeçarja raportohet se ka rënë nga një objekt në ndërtim e sipër prapa tregut të gjelbër në Tetovë, derisa në vendin e ngjarjes janë gjetur disa barna.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë