100 euro për studentët, Abdixhiku: SMS e VV-së nuk mund ta blejnë votën më 9 nëntor

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka kritikuar ashpër partinë e Albin Kurtit për dërgimin e mesazheve të dyfishta për studentët me njoftimin për daljen e 100 eurove para zgjedhjeve të balotazhit në 18 komuna, në 12 prej të cilave Lëvizja Vetëvendosje tenton ta merr pushtetin më 9 nëntor.
Sot gjatë ditës në adresën telefonike të mijëra studentëve nga Zyra e Kryeministrit u kanë shkuar madje edhe nga dy mesazhe SMS me emër dhe pa emër të Albin Kurtit si kryeministër në detyrë në tekst, me njoftimin për ekzekutimin e 100 eurove të ndara nga qeveria në detyrë.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dërgimin e mesazheve me njoftimin për daljen e 100 eurove për studentë po e shohin kryesisht si tentim për blerjen e votës.
“Të ardhmen që ua vodhi, në shtetin më të varfër e më të izoluar në Evropë, me arsimin ndër më të fundit në botë, provon t’ua blejë me 100 euro për votë – tri ditë para balotazhit”, ka shkruar kryetari Lumir Abdixhiku në një postim në Facebook.
Ai e ka quajtur qeverinë në detyrë të Albin Kurtit një regjim të frikësuar dhe në rënie të lirë, i cili po i trajton studentët e Kosovës si material shitblerje zgjedhor.
“Studentët drejtojnë kohë, rrëzojnë regjime e përcaktojnë epokë. Prandaj, këta SMS ‘cringe’, para zgjedhjeve nuk blejnë as heshtjen, as shpresën. As votën. I keni nënçmuar. Do t’iu kthejnë përgjigje këtë të diel me votë. Kosova është shumë e mençur se sa po e trajton kryepopullisti sot!”
