Kurti i gëzohet fitores së VLEN-it: Dy miqtë e mi triumfuan me meritë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar pas zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.
Kurti përmes një postimi në Facebook i është gëzuar fitores së VLEN-it në komuna duke thënë se miqtë e tij, Izeti dhe Bilalli fituan me meritë me projekte konkrete dhe punë të ndershme, transmeton KosovaPress.
Tutje, Kurti thotë se suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Kurtit, VLEN-i në 15 muajt e parë në pushtet ka qeverisur me duar të pastra pa korrupsion dhe skandale. Siç thotë Kurti kjo frymë e ndryshimit ka sjellur bashkëpunim shumë dimensional mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Postimi i plotë:
Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen, me diferencë të thellë.
Suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut.
Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara. Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë.
