KGJK shpall konkurs për kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur të shpallet konkurs për pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton KosovaPress. Kjo pasi në mbledhjen e 355-të të KGJK-së, Albina Shabani-Rama është avancuar në pozitën e gjyqtares pranë Departamentit Special të Gjykatës së Apelit.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj bëri të ditur se nga data 15 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë nuk do të ketë kryetarë, ku si ushtruese e detyrës si kryetare, do të jetë nënkryetarja e Gjykatës Ilire Vitija.
Në këtë mbledhje, gjithashtu u votua edhe për komisionin vlerësues për intervistim dhe vlerësim të kandidatëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Gjykata nuk ka kryetarë të gjykatës pas datës 15 dhe e qes për konfirmim dhe njëherë në këshill që të votohet edhe përcaktimi i ushtrues së detyrës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, të shpallet konkursi dhe të themelohet njëkohësisht komisioni vlerësues për intervistim dhe vlerësim të kandidatëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Zogaj.
Në këtë mbledhje, gjyqtari Migjen Kastrati u zgjodh në pozitën e mbikëqyrësit të Gjykatës Themelore në Pejë, Dega në Istog, ndërsa gjyqtarja Fëllanza Knushaj u zgjodh kryetare e Gjykatës Themelore në Gjakovë. Të dy, me mandat 5-vjeçar. /A. Shala/
