Zbulohen 50 mijë euro të padeklaruara në Vermicë

Dogana e Kosovës në Pikën Kufitare Vermicë ka zbuluar një sasi të konsiderueshme të mjeteve monetare të padeklaruara gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti që po hynte në territorin e Kosovës, raporton KosovaPress.
Gjatë procedurës së zakonshme doganore, udhëtari kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim, por pas kontrollit në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 50 mijë euro në monedha metalike, të fshehura në bagazhin e automjetit.
Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat e parapara ligjore, ku është konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme pranë Sektorit të Hetuesisë.
Dogana e Kosovës apelon te qytetarët dhe udhëtarët të deklarojnë çdo shumë që tejkalon 10 mijë euro, në hyrje apo dalje nga territori i Kosovës.


