Parisi nderon Ismail Kadarenë me pllakë përkujtimore

Parisi nderon Ismail Kadarenë me pllakë përkujtimore

Kryeqyteti i Francës i bëri më 9 tetor një nderim të denjë Ismail Kadaresë, në qytetin ku ai jetoi dhe krijoi një pjesë të veprës së tij universale, ka bërë të ditur vajza e shkrimtarit të madh shqiptar Besiana Kadare, raporton KosovaPress.

“Këshilli Bashkiak i Parisit votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën tonë 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku lindën disa nga faqet më të ndritura të letërsisë shqipe.”

Besiana Kadare thotë se ky gjest fisnik nderon jo vetëm autorin, por edhe Shqipërinë dhe kontributin e kulturës shqiptare në ndërtimin e qytetërimit shpirtëror evropian, përtej kufijve dhe politikës.

“Kadare ishte një ndërgjegje evropiane e farkëtuar në tokën shqiptare. Ai e përshkroi identitetin dhe rrugëtimin e kombit shqiptar si thellësisht evropian shumë përpara se ta njihte Brukseli. Disa herë janë të tjerët që na kujtojnë më mirë se kush jemi dhe çfarë i kemi dhënë botës. Faleminderit Parisit dhe Francës për këtë përkujtim plot dritë!”, shkroi Besiana Kadare në Facebook.

Ismail Kadare ishte një romancier, poet, eseist, skenarist dhe dramaturg shqiptar. Ai ishte një figurë dhe intelektual kryesor ndërkombëtar letrar, i përqendruar në poezi deri në botimin e romanit të tij të parë, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, i cili e bëri të famshëm ndërkombëtarisht. Kadare ndërroi jetë më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë