Magjia e muzikës klasike pushtoi zemrat e më të vegjëlve në Prishtinë

Mes syve të qeshur të vocërrakëve, në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj, u mbajt një nga koncertet më të veçanta, ai i dedikuar fëmijëve.
Në edicionin e pestë me temën “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!”, në bashkëpunim me Korin e Fëmijëve dhe Orkestrën “Amadeus” nën udhëheqjen e dirigjentit Vehbi Shosholli, ky koncert solli emocione të veçanta, buzëqeshje pafund dhe një atmosferë thuajse magjike.
Të vegjlit e Prishtinës, të rrethuar nga tingujt magjikë të muzikës klasike dhe operistike, në hapësirat e “HyperActive” u bënë dëshmitarë të një përvoje unike kulturore që synon t’i afrojë ata me botën e artit që nga fëmijëria e hershme.
Përmes kësaj, RLIOF-i dëshmoi edhe një herë përkushtimin e tij për të investuar në aspektin edukativo-kulturor të brezit të ri e njëherësh për të qenë ura lidhëse, mes artit dhe fëmijërisë, transmeton KosovaPress.
Ky koncert shënon vetëm fillimin e një platforme edukative në kuadër të misionit të Fondacionit Rame Lahaj, që do të vazhdojë të sjellë kryevepra të muzikës klasike për publikun më të ri, në një formë kreative, të afërt dhe gjithëpërfshirëse.
Pas këtij koncerti, Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj, pason me mbrëmjet datë 28 korrik, ora 20:30 Opera Night – Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë, 29 korrik ora 19:30 New Generation (Universiteti i Arteve, Prishtinë), 30 korrik ora 20:30 Ensemble Evening (Hapësira e jashtme e Bibliotekës Kombëtare, Prishtinë).
Festivali do të përmbyllet me Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends”, në sheshin Skënderbeu, më 2 gusht nga ora 20:30, ku do të ngjiten në skenë yje ndërkombëtarë të operës si sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo dhe tenori Rame Lahaj, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën udhëheqjen e maestro Roberto Rizzi Brignoli.


