Rama nderon Rexhepagiqin me “Hyjneshën në Fron”

Në Komunën e Prishtinës, kryetari Përparim Rama mirëpriti këngëtarin e mirënjohur Armend Rexhepagiqi, duke e nderuar me simbolin e “Hyjneshës në Fron”.
Kryetari Rama në emër të qytetit, falënderoi atë për gjurmët që ka lënë në skenën artistike të Kosovës.
“Nëse do të kisha prezantuar si njeri artin, kulturën dhe nivelin shpirtëror të Prishtinës, do të ishit ju. Je ikona e Prishtinës, ikona e kryeqytetit, dhe një person që, me të vërtetë, unë si kryetar i qytetit, falënderoj në emër të qytetarëve për çdo gjë që keni bërë dhe vazhdoni të bëni”, tha Rama.
Rexhepagiqi e priti me ngrohtësi këtë mirënjohje teksa u shpreh se nuk “di t’i pranojë komplimentet” dhe aq mirë.
Ai i bëri thirrje Ramës që Komuna e Prishtinës të investojë në aspektin muzikor dhe kulturor të komunës.
“Sa më shumë investime në shkolla të muzikës, në kurse të ndryshme, në fëmijë, në beneficione që fëmijët të kenë instrumente falas dhe në beneficione të ndryshme – udhëtime, ushqime – , se te ndonjë vogëlush është Nexhmija e ardhshme, është një dirigjent, është një violinist fantastik”, sugjeroi Rexhepagiqi.
Vizita vjen një ditë para se Armend Rexhepagiqi të performojë në kryeqytet, në koncertin i cili mbahet në orën 20:00, tek Pallati i Rinisë në Prishtinë./M.Koshi
